LDK-ja, nëse e dërgon mandatarin për kryeministër, e shkelë Kushtetutën
Profesori universitar dhe një ndër hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës, në rast se e dërgon mandatarit për kryeministër te presidenti Hashim Thaçi, do të bëjë shkelje kushtetuese. Sipas tij, nuk është korrekte të thuhet nga LDK-ja që pranojnë të bëjnë qeverinë si parti e dytë, por nëse shkelet Kushtetuta përgjigjet presidenti.
“Zotëri Isa Mustafa, që po pretendon të bëhet, po të pranonte këtë rol përderisa duhet të ishte i vëmendshëm se nuk ka autorizim. Do të shkelte edhe ai kushtetutën. Nuk është korrekte të thuhet se paranojë të bëjmë qeverinë, po shkelet Kushtetuta, por le të përgjigjet presidenti”, thotë ai, për “KosovaPress”.
Smaka thekson se çdo veprim ku anashkalohet, Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë është shkelje kushtetuese nga ana e presidentit Thaçi. “Pa dyshim se do të ishte shkelje kushtetuese edhe do të ishte një gabim politik e moral. Të bëhen makinacione të tilla që të tejkalohet një subjekt politik parlamentar i autorizuar me Kushtetutën për ta propozuar mandatarin për qeveri, dhe të shkojë në tjetrin subjekt”, thotë ai.
Këtë ai e arsyeton me faktin se kjo e fundit nuk ka afat kushtetues që ta dërgojë mandatarin për kryeministër te presidenti. “Nuk ka afat kushtetues që do të obligonte zotëri Kurtin që do të obligonte që prej kësaj dite në këtë dite, kaq ditë i ka. Është vakuum juridik”, u shpreh ai.
Presidenti Hashim Thaçi ditë më parë ka dhënë sinjale që do të anashkalojë partinë e parë, Lëvizjen Vetëvendosje, në formimin e qeverisë pasi, përkundër katër letrave të të parit të shtetit dërguar LV-së, kjo ende nuk ka dërguar emër për kryeministër, por as nuk e ka refuzuar.