LDK-ja nuk i bashkohet turit lobues për vizat
“Grupi Parlamentar i LDK-së nuk i bashkohet turit lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla”, kështu thuhet në një reagim të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane.
Si kryetar i partisë në koalicion, kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës.
Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare.
Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së”, është thënë komunikatën e LDK-së.