LDK-ja nuk bëhet pjesë e ekipit negociator
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë një konference për media të mërkurën ka bërë me dije se kjo parti do të luajë rolin e saj si parti opozitare në Kuvend, duke qartësuar se këtë rol do ta luajë edhe sa i përket dialogut me Serbinë.
Mustafa ka thënë se institucionet e vendit duhet të kenë legjitimitet edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
Ai ka theksuar se institucionet duhet ta fitojnë legjitimitetin duke shkuar në zgjedhje të reja, raporton “Epoka e re”.
“LDK-ja ka pranuar pozicionin e saj si parti opozitare. Jemi munduar dhe do të mundohemi edhe më tutje që në Kuvendin e Republikës së Kosovës të jemi faktor korrektues i vendimeve që merren në Kuvend, në mënyrë që të gjitha këto vendime të jenë në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Këtë rol LDK-ja e ka konfirmuar edhe më parë se do ta mbajë edhe sa i përket dialogut me Serbinë. Kjo nuk është ikje nga përgjegjësia por është marrje e përgjegjësisë që nga opozita t’i kontribuojë dialogut dhe çdo marrëveshje e cila do të ishte në interes të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve. Ne jemi të gëzuar për përkrahjen që këtij procesi ia kanë dhënë edhe përpara dhe tash SHBA-të, si vend me të cilin presidenti ynë Ibrahim Rugova gjithmonë ka theksuar se duhet të kultivojmë miqësi të përhershme. Pra e vlerësojmë interesimin e presidentit të SHBA-ve që procesi i dialogut të shkon përpara dhe të jetë në interes të Kosovës. Po ashtu shohim përgjegjësinë e institucioneve të Republikës së Kosovës se për këtë dialog ato duhet të ketë legjitimitet politik dhe legjitimitet qytetar, dhe ne si LDK kemi theksuar se këtë legjitimitet më së miri do ta fitonin përmes votës së lirë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
I pyetur nëse LDK-ja do të bëhet pjesë e ekipit negociator, Mustafa ka thënë se kjo parti do ta ndihmojë këtë proces vetëm si parti opozitare brenda Kuvendit.
“Përkrahjen e dialogut e shohim si opozitë. Ne kemi thënë që nga fillimi se çështja e dialogut është çështje e institucioneve të Republikës së Kosovës. Gjithmonë kemi konstatuar se negociatat duhet t’i zhvillojë Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne do të mbajë pozitën tonë si opozitë, dhe do të veprojmë në opozitë, dhe si opozitë do t’i kontribuojmë dialogut”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se LDK-së i takojnë dy vende në KQZ. Sipas tij, në këtë proces presidenti i vendit ka bërë shkelje duke shkelur afatet sa i përket emërimit të anëtarëve në KQZ.
/Epoka e re/