LDK-ja nuk e mbështet presidentin si udhëheqës të dialogut me Serbinë
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me Serbinë, por sipas tij, presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës.
Në një konferencë për medie, ai ka vlerësuar se çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës.
“Ne besojmë se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me fqinjit tonë verior, Serbinë. Dëshirojmë të përshëndesim angazhimin e miqve tanë ndërkombëtar në këtë proces, BE-së dhe SHBA-së. Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë. Kuvendi i Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë çështje, pasi platforma për dialog me Serbinë, që ishte në rend ditë në Kuvend, u tërhoq nga Qeveria. Ndërkaq, platforma e vitit 2011 e autorizon Qeverinë të dialogojë me Serbinë. Rrjedhimisht, presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës. Kështu që, çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës”, është shprehur Hoti.
Ai ka bërë me dije se LDK-ja nuk e mbështet presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë, pasi që sipas Hotit, Thaçi nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës.
“LDK-ja, si partia kryesore në vend, është e gatshme të marrë përsipër këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Këtë përgjegjësi ne do ta marrim përmes votës së qytetarëve, në zgjedhje të lira”, ka deklaruar Hoti.
/Epoka e re/