LDK-ja nuk e voton platformën për dialogun me Serbinë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë me dije se nuk do ta votojë platformën për dialogun me Serbinë sipas të cilës bartës i këtij procesi është presidenti Hashim Thaçi.
Sipas kësaj partie, kjo platformë është e dobët dhe joserioze.
“Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese. Rrjedhimisht, grupi parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës nuk do ta votojë platformën në fjalë. LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës. LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike”, është thënë në deklaratën e LDK-së të lëshuar për medie.
/Epoka e re/