LDK-ja nuk fillon negociatat me AAK e Nismën pa marrë mandatin nga Presidenti

15 prill 2020 | 16:44

Lidhja Demokratike e Kosovës do të fillojë negociatat për formimin e Qeverisë me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvendin e Kosovës, vetëm pasi ta merr mandatin nga presidenti i vendit.

Në anën tjetër, AAK e Nisma Socialdemokrate ende nuk kanë qëndrim nëse do të jenë pjesë e një qeverie të udhëhequr nga LDK-ja.

Mbrëmë kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka bërë të ditur se Këshilli i Përgjithshëm i ka dhënë ‘dritën e gjelbër’ që nëse i ofrohet mandati për formimin e Qeverisë, atë do ta bëjë në koalicion me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe komunitetet.

Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, për KosovaPress ka bërë të ditur se nuk do të nisin negociatat me këto parti pa e marrë mandatin nga presidenti i vendit, derisa ka theksuar se nuk kanë bërë ndonjë ofertë për këto parti.

“Nuk është koha për oferta, është koha që kryetari i LDK-së, lideri i demokratëve të Kosovës ta merr mandatin e Këshillit të Përgjithshëm për të krijuar mundësi nëse fryma kushtetuese, organet kushtetuese që përfshin edhe Gjykatën Kushtetute, e lejon krijimin e shumicës së re parlamentare si opsion i dytë. Sepse këtë fazë e ka dhe këtë të drejtë e ka Kurti dhe Vetëvendosja aktualisht. Dhe me vetë faktin që ne po presim që Vetëvendosja të ndërtojë shumicën e re parlamentare pavarësisht qëndrimit të tyre politik për momentin ata kanë ende kohë, kanë ditë para tyre që të vendosin krijimin e kësaj shumice parlamentare. Nëse organet kushtetuese ia japin një të drejtë eventualisht si opsion i dytë LDK-së atëherë ne ia kemi dhënë besimin Isa Mustafës si kryetar dhe lider i joni që të fillojë bisedimet me partitë që krijojnë shumicën e re parlamentare me parimin e gjithëpërfshi rjes. Ne e aplaudojmë edhe më tutje krijimin e një Qeverie nga Vetëvendosja me shumicë parlamentare të re ku LDK do ta ketë një rol shumë pozitiv dhe konstruktiv në përballim të krejt proceseve politike duke përfshirë edhe pandeminë”, tha ai.

Haziri tha se si parti e kanë vetëm një kusht në këtë fazë, e që është se LDK nuk hyn në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Por, edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë të qartë qëndrimin se do të vazhdojë të jetë pjesë e opozitës.

Ndërkaq, AAK e Nisma Socialdemokrate ende nuk kanë qëndrim nëse do të bëhen pjesë e qeverisë së udhëhequr nga LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate Haxhi Shala, për KosovaPress tha se nuk kanë pranuar ofertë nga LDK në këtë fazë, por që potencon se vendimin për të hyrë apo jo në koalicion e vendosin strukturat e partisë.

“Së pari duhet të shtjerrën mundësitë kushtetuese për partinë e parë, e cila e ka të drejtën absolute për të formuar qeverinë si parti e parë. Në moment që partia e parë nuk ka mundësi të formojë qeveri nuk ka partnerë, atëherë është në institucionin e presidentit nëse ia jep mundësinë LDK-së. Ende nuk kemi ofertë si Nismë, kemi dëgjuar një deklaratë se LDK është e gatshme me Nismën dhe AAK-në të bëjë koalicion, por ne nuk kemi një ofertë konkrete për të diskutuar ose për të thënë po është për neve në rregull ose kjo çështje nuk bën. Në momentin që do të kemi ofertë, ne do të ulemi me struktura të partisë do ta shqyrtojmë dhe besoj që në kohë të caktuar do të merremi, por pasi ta merr mandatin nga presidenti”, tha ai.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të presë për të marrë ofertën nga LDK e pastaj të vendosë nëse do të jenë pjesë e koalicionit.

Deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj, tha se ende nuk kanë pranuar ofertë, por nëse do të ketë, atëherë është kryesia e partisë ajo do të vendosë në lidhje me këtë çështje.

“Nuk e di nëse kemi ofertë, e dyta kurdo që kemi oferta do të mblidhemi si kryesi e partisë dhe të shohim cili do të jetë vendimi”, u shpreh ai, transmeton “KP”.

Presidenti Hashim Thaçi, pas rrëzimit të qeverisë Kurti, këtij të fundit i ka dërguar letra për të dërguar mandatarin, por Lëvizja Vetëvendosje insiston për zgjedhje të reja pas përfundimit të pandemisë me koronavirus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra e Shëndetit Mendor në Prishtinë ka hapur një qendër…