LDK-ja nuk i shkon Kurtit në takim të premten

20 tetor 2022 | 16:11

Pas takimit të së mërkurës me emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kryeministri Albin Kurti ka dërguar një ftesë në adresë të partive opozitare të cilave iu ka kërkuar takim për të premten.

Por,  nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë bërë me dije se nuk do të shkojnë në takimin e ftuar nga kryeministri.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi për “Express” ka thënë se Kurti duhet të raportojë në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje.

“Për temën e dialogut, kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak”, ka thënë ajo.

Halimi ka thënë se për LDK-në “marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke”.

“Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme”, ka thënë Halimi.

Lidhur me këtë takim, AAK ka deklaruar se do ta takojë Kurtin, ndërsa PDK-ja ka thënë se do të presin detaje nga zyra e kryeministrit pastaj do të vendosin nëse do të shkojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka shpërndarë një…