LDK-ja nuk i tregon arsyet e dorëheqjes së nënkryetares Mjekiqi
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk i ka treguar arsyet e dorëheqjes së nënkryetares së saj, Shqipe Mjekiqi. Ajo nuk ka përmendur arsyet e vendimit të saj në letrën e dorëheqjes, kurse nuk ka qenë e qasshme për të dhënë më shumë informacione.
Nga e marta, Lidhja Demokratike e Kosovës ka një nënkryetare më pak.
Por, partia më e vjetër në Kosovë nuk ka treguar arsyet që çuan Shqipe Mjekiqin të dorëhiqej nga kjo pozitë dhe ajo e anëtares së kryesisë.
LDK-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të Dukagjinit për këtë çështje.
E pa qasshme gjatë tërë ditës ka qenë edhe vet Mjekiqi, e cila në letrën e dorëheqjes nuk ka treguar arsyet e vendimit të saj.
Arsyet e dorëheqjes nuk i di as nënkryetari i partisë, Gazmend Muhaxheri.
Mirëpo, ai thotë se vendimi i Mjekiqit i ka befasuar të gjithë.
“Jo nuk e di, edhe jam i befasuar si krejt të tjerët. I kemi pasur raportet shumë të mira me nënkryetare, por nuk e kam as idenë”, ka thënë Muhaxheri.
Në media është raportuar se dorëheqje ka dhënë edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.
Por, në një reagim në Facebook ka mohuar se është dorëhequr nga partia, mirëpo nuk ka treguar nëse do të vazhdojë të jetë akoma zëdhënëse.
As Halimi nuk i është përgjigjur insistimit të televizionit.