LDK-ja nuk lëshon pe për kryeparlamentarin
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur pas mbledhjes se kryesisë se LDK-së.
Haziri ka thënë se kjo mbledhje e cila është ftuar nga kryetari Isa Mustafa, ka qenë në funksion të shtjerrës së të gjitha mundësive që në bisedime të drejtpërdrejta me Lëvizjen Vetëvendosje të angazhohen bashkërisht për arritjen e koalicionit për bashkëqeverisje
“Këto konsultime janë në funksion të finalizimit të marrëveshjes politike me Vetëvendosjen, sepse LDK-ja prej ditës se parë që ka qenë e ftuar e ka dhënë këtë kontribut dhe angazhim në mënyrë të sinqertë”, ka thënë Haziri
Ai ka thënë se LV-ja dhe LDK-ja kanë arritur t’i përfundojnë të gjitha çështjet dalluese, me përjashtim të ndarjes se përgjegjësive kushtetuese, raporton “Epoka e re”.
Në këtë kontekst, ai ka insistuar se LDK-ja duhet ta drejtojë Kuvendin e Kosovës.
“Jemi në përpjekje që sonte, nesër dhe pasnesër t’i realizojmë angazhimet tona të përbashkëta në definimin e rolit dhe përgjegjësive tona kushtetuese, duke u pajtuar që qeverinë e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje dhe mandatari për kryeministër Albin Kurti, ndërsa roli i LDK-së, i fokusuar në përgjegjësi në këtë fazë të Kuvendit të Republikës”, ka deklaruar Haziri.
Më tutje, Haziri, ka thënë se LDK-ja nuk e voton qeveri të pakicës. Sipas tij qeveri të tilla janë të dështuara.