LDK-ja paralajmëron bojkot të Kuvendit nëse nuk lejohet formimi i komisionit hetimor
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, në seancën e Kuvendit ka thënë se nëse opozitës nuk lejohet formimi i Komisionit hetimor parlamentar për çështjet energjetike, atëherë kjo parti nuk do të marrë pjesë më në votimet në Kuvend.
“Mohimi i kësaj të drejte për ne është përtej çdo limiti. Si deputet mund të konkludoj se nëse nuk formohet Komisioni hetimor parlamentar nuk ka më kuptim që LDK-ja të marrë pjesë në çfarëdo votimi në Kuvend. Nuk ka më kuptim që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare nëse i mohohet opozitës të formojë komision hetimor”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se s’ka më kuptim parlamentarizmi në Kosovë nëse mohohet formimi i Komisionit hetimor.
“Nëse opozitës i mohohet formimi i një komisioni hetues parlamentar nuk ka më kuptim parlamentarizmi. 40 deputetë janë kategori kushtetuese”, ka thënë Gashi.
Më tutje, Gashi ka thënë se beson se ka deputetë brenda LV-së që do të deklarohen se është gabim moslejimi i formimit të Komisionit parlamentar.
Opozita ka kërkuar që të votohet mocioni procedural për ta futur në rend të ditës formimin e Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e energjisë elektrike.