LDK-ja paralajmëron padi për Hashim Thaçin në Gjykatë Kushtetuese
Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar padi në Gjykatën Kushtetuese ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për shkak se ky i fundit po e zvarrit procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ende nuk janë emëruar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të cilin thotë se është paralizuar.
Sipas tij, nëse presidenti i vendit nuk vepron në bazë të kompetencave të tij kushtetuese në raport me emërimet në KQZ, atëherë ai do të përballet me padinë e LDK-së.
“Ende nuk janë emëruar anëtarët e KQZ-së nga ana e presidentit. Po bëhen 10 muaj që KQZ-ja është e paautorizuar. Janë plot anëtarë në kuvende komunale dhe deputetë që presin për certifikim. Presidenti ka obligim kushtetues që të emërojë anëtarët e KQZ-së, ai duhet të veprojë sipas Kushtetutës, ndryshe do të përballet me padinë e Lidhjes Demokratike në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Hoti. /EO/