LDK-ja për letrën e Krasniqit: Ia kemi kthyer përgjigjen ideatorit Albin Kurti
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas njoftimit të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, se u ka dërguar letër të gjitha partive politike ku ka theksuar nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Për këtë, LDK-ja e ka quajtur kryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ideator të nismës për zgjedhje të parakohshme.
“Përgjigjen dhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kemi kthyer tashmë ideatorit të vërtetë të kësaj nisme, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje z. Albin Kurtit”, deklaroi për teve1.info zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa.
Krasniqi, gjatë ditës së sotme bëri të ditur se në letrën drejtuar liderëve të partive parlamentare ka shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë domosdoshmëri duke kërkuar koordinim e hapa konkretë.
Ai u shpreh se 30 qershori dhe 7 korriku janë propozuar si data për mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas tij, për të arritur ndonjërën nga to, shpërndarja e Kuvendit duhet të votohet më së largu më 29 maj.