![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/06/ldk-1.jpg)
LDK-ja pritet të propozojë rezolutë në Kuvend për uljen e akcizës së naftës
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi dhe deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa në një konferencë për media kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosveprim sa i përket rritjes së çmimit të naftës.
Deputeti Mustafa ka bërë me dije se LDK-ja do të paraqes një rezolutë për uljen e akcizës në derivate të naftës.
“Çmimi i litrës po shkon drejt 1 euro 90 centë. Nëse për një periudhë të caktuar do të hiqej akciza, çmimi do të ulej në 1 euro e 20 centë. Pra kjo qeveri po ju merr rreth 60 centë qytetarëve. Grupi parlamentar i LDK-së do të propozojmë rezolutë për uljen e akcizës në derivate dhe uljen e TVSh-së në produkte bazike”, ka thënë ai.
Ndërsa zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi është shprehur se Qeveria e Kosovës s’ka marrë asnjë masë në ndihmë të qytetarëve pas rritjes së çmimeve.
“Vendi më i varfër në Evropë me çmimet më të larta të derivateve. Qeveria po e luan rolin e spektatorit nga lartë duke parë qytetarët se si ballafaqohen me rritjen e çmimeve LDK-ja ka paralajmëruar para 95 ditësh uljen e TVSh-së, qeveria na injoroi. Është e vetmja qeveria e Kosovës që s’ka marrë asnjë masë për të ju dalë në ndihmë qytetarëve”, ka thënë ajo.
Qeveria shpejt pritet ta marrë një vendim lidhur me rregullimin e çmimeve të naftës dhe benzinës, i cili sipas naftëtarëve, do t’i linte në rrugë rreth 5 mijë punëtorë. Naftëtarët po e shqyrtojnë mundësinë që t’i mbyllin pikat e derivateve në shenjë proteste.