LDK-ja propozon 10 pika për përballimin e krizës energjetike

23 gusht 2022 | 12:54

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duke kritikuar qeverinë për keqmenaxhim të sektorit energjetik dhe reduktime të rrymës, ka propozuar 10 pikat e planit për të përballuar krizën e energjisë elektrike.

Në konferencën për media, deputetja Hykmete Bajrami dhe deputeti Besian Mustafën kanë propozuar që të bëhet pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milionë euro për çmimin e energjisë elektrike, riparimi i bllokut A5 i Termocentralit të Kosova A, krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative për ngrohje me çmime të përballueshme për qytetarët si dhe të bëhet përgatitja e planit të efiçiencës dhe kursimit të energjisë.

Po ashtu është kërkuar që të bëhet negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji, zbritja e TVSh-së nga 8 në 0 për qind për faturat e energjisë, pako e re për subvenciomin e energjisë për qytetarët dhe bizneset, largimi tarifave diskriminuese të ZRrE-së si dhe themelimin e bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri.

Deputetja Bajrami ka thënë se është i pa precedent aplikimi i reduktimeve të energjisë elektrike në muajin gusht, që sipas saj po krijohet një pasiguri për qytetarët dhe bizneset.

Disa prej bizneseve siç ka thënë ajo rrezikojnë të falimentojnë.

Ndërsa deputeti Besian Mustafa, ka thënë se qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë për ta lehtësuar krizën dhe barrën energjetike për qytetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar qeverinë Kurti…