LDK-ja: Punësimet e paligjshme në kohë fushate janë abuzim me paranë publike

17 shtator 2019 | 15:19

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nëpërmjet një deklarate për medie ka dënuar praktikën abuzive të koalicionit dhe qeverisë në largim, për punësime të paligjshme në sektorin publik në kohë fushate.

Sipas kësaj partie, informatat që vijnë nga institucionet dhe kompanitë publike tregojnë për punësime pa konkurs dhe pa kritere të qindra militantëve partiakë, me qëllim të përfitimeve politike në prag të zgjedhjeve.

“Publikimet në media për rritje enorme të numrit të veteranëve të rrejshëm në kohë fushate, duhet të jenë alarm për institucionet ligjzbatuese, që të aktivizohen për të penguar abuzimin me taksat e qytetarëve. Praktikat e punësimit në administratë janë keqpërdorim me paranë publike, shkelje e ligjit dhe shkelje e rregullave zgjedhore”, është theksuar në deklaratë.

LDK-ja konsideron se koalicioni i qeverisë në largim, duke parë humbjen e thellë në zgjedhje, po përdor metoda të paligjshme, siç janë punësimet në sektorin publik, për të përfituar politikisht.

LDK-ja u bën thirrje monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë që të evidentojnë këto shkelje të rënda të procesit zgjedhor.

“Lidhja Demokratike ju bën thirrje koalicionit PAN që t’i ndërprenë praktikat diskriminuese ndaj qytetarëve, të cilët i kanë sjellë në varfëri të skajshme për shkak të korrupsionit enorm me paranë publike. LDK-ja ju bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të përkrahin programin dhe kandidaten tonë për kryeministre, Vjosa Osmani, e cila me besimin e qytetarëve, me votën e lirë, më 6 tetor do t’i japë dënimin e merituar, atyre që e konsiderojnë vetëm mbi ligjin. Lidhja Demokratike e Kosovës me fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit, do të jetë gardiane e parasë dhe pasurisë publike dhe do t’i japë fund praktikave korruptive në punësime”, është theksuar në deklaratën e LDK-së.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zlatan Ibrahimoviq është një nga lojtarët më të mirë në…