LDK-ja: Raporti i KE-së paraqet gjendjen reale në Kosovë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i cili u është dorëzuar bartësve të institucioneve shtetërore është i njëjtë me shqetësimet që kjo parti ka ngritur në vazhdimësi.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se sipas këtij raporti sistemi i drejtësisë mbetët në ndikim të plotë politik.
“Raporti nënvizon progres të kufizuar në zbatimin e reformave evropiane. Komisioni Evropian rekomandon qe Kosova të ndërtojë konsensus që të vazhdojë rrugën drejt integrimit”, është shprehur ai në një konferencë për medie.
Zemaj ka thënë se për LDK-në mbetet shqetësuese moszbatimi i programit të MSA-së.
Ndërsa, deputetja Vjosa Osmani, ka thënë se reformat për agjendën evropiane janë duke shkuar me një hap shumë të ngadalshëm.
“Sa i përket sundimit të ligjit një gjë është e qartë, politizimi i skajshëm dhe presioni mbi gjyqësorin e prokurorinë”, është shprehur Osmani.
Sipas Osmanit për shkak të dështimeve në sferën e brendshme, imazhi i Kosovës në botë asnjëherë nuk ka qenë më i keq dhe se nuk ka asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe njohjet.