LDK-ja: Raporti i Reporterëve pa Kufij na riktheu në korridor të errët të censurës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka vlerësuar tejet shqetësuese që Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, e gjen Kosovën me një raport të ri alarmues, atë të Reporterëve pa Kufij, i cili njëjtë si tre raportet e fundit, Raportit të Progresit, Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Freedom House, që flisnin për kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të medieve.
“Veçse në masë më të madhe, duke raportuar se Kosova shënoi rënie për 19 vende në indeksin vjetor për lirinë e medies, duke u renditur në vendin e 75 nga 56 sa ishte vitin e kaluar. Ky raport na ka rikthyer në një korridor të errët të censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes dhe të mediave. Ky nuk është thjesht një sinjal përkeqësues është një alarm që duhet të na mobilizojë të gjithëve. Ky raport i cili përfshin Kosovën në grupin e vendeve, ku mjedisi i medias është ‘problematik’, thotë se, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike, flet për rregullatorin joefikas të medieve, për tentim mbylljen e televizionit Klan Kosova, dhe për emërimin e militantit të partisë në pushtet si drejtor i transmetuesit publik”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e sheh alarmuese këtë raport, i cili flet për ambientin tejet shqetësues të të bërit gazetari në Kosovë.
“Sepse, sot në këtë ditë botërore duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rëndësinë jetike të një shtypi të lirë dhe të pavarur, që është themeli i çdo demokracie të shëndetshme. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson po ashtu se demokracia nuk mund të mbijetojë në heshtje. Për një shoqëri që dëshiron të avancojë, duhet një media e lirë që sfidon, pyet dhe kërkon llogari. Prandaj, kjo situatë na bën të vetëdijshëm për sfidat që na presin dhe nevojën për të vazhduar punën me përkushtim të dyfishtë, për të mbrojtur dhe avancuar këto liri themelore. Në këtë Ditë Botërore të Shtypit, LDK-ja do të angazhohet të rrisë përpjekjet në mbrojtjen e lirisë së shtypit, dhe të sigurojë një mjedis më të sigurt dhe më inkurajues për gazetarët në Kosovë. Le të mos lejojmë asnjë kufizim të na ndalojë nga synimi ynë i përditshëm për një shoqëri më të lirë dhe më transparent”, është thënë në reagimin e LDK-së.