LDK-ja reagon pas publikimit të videos në lidhje me përplasjen Shala-Gjyshinca
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas videos së publikuar në medie, në të cilën shihet se gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës ka pasur një përplasje në mes të deputetëve të kësaj partie, Kujtim Shala dhe Arben Gashi si dhe deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca.
Nga grupi parlamentar i LDK-së kanë thënë se në asnjë moment, nuk ka ndodhur asgjë nga çfarë është pretenduar nga Vetëvendosje.
“Reagim ndaj shpifjeve për sulm nga ana e deputetëve të LDK-së ndaj deputetit të Vetëvendosjes. Të dashur qytetarë, nga incizimi i publikuar sot në medie, shihet qarte se dje, në hollin e Kuvendit të Kosovës, një përpjekje për bisedë mes kolegësh është shndërruar në histeri dhe akuzë për sulm fizik”.
“E kemi thënë edhe dje, para qytetarëve dhe para organeve kompetente se në asnjë moment, nuk ka ndodhur asgjë nga çfarë është pretenduar. Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehë konsideratë për publikimin e videos së incizuar nga kamerat e Kuvendit të Kosovës, ku shihet se gjithçka që u pretendua dje, u hodh poshtë sot. Lidhja Demokratike e Kosovës është themeltare e mendimit të lirë e rendit demokratik në Kosovë dhe e çmon lart raportimin e drejtë, të paanshëm e profesional të medieve”.
“Por, pas daljes në shesh të së vërtetës, shihet qartë se ende ka tendencë dhe përpjekje për ta prezantuar situatën e djeshme në favor të atyre që akuzuan dhe linçuan për motive të pastra politike”, është thënë në reagimin e LDK-së.