LDK-ja reagon për mesazhet Mihali-Krasniqi: Strukturë kriminale, menaxhuan edhe oraret e reduktimeve të rrymës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar lidhur me komunikimet në mes të koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Përmes një komunikate për medie, LDK-ja ka theksuar se raportimet vërtetojnë shqetësimet për aktivitete kriminale, punësime të paligjshme dhe tenderë sekretë.
“Raportimet e medieve gjatë dy ditëve të fundit, për përfshirjen direkte të strukturave parapolitike partiake të Lëvizjes Vetëvendosje në ndërmarrjen publike KEK dhe së këndejmi në aferat korruptive të Nagip Krasniqit e Martin Berishajt, vërtetojnë se shqetësimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës për aktivitetet kriminale, punësimet e paligjshme dhe tenderët sekretë kanë qenë plotësisht të sakta”, është thënë në komunikatën e LDK-së, duke shtuar se në vazhdimësi kanë folur për ekzistencën e një strukture kriminale energjetike..
“LDK-ja në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet, që nëpërmjet një skeme shumë mirë të organizuar e të kontrolluar deri në detaje – nga menaxhimet e komunikimeve ditore, tek oraret e reduktimeve të energjisë elektrike për qytetarët; nga punësimet e paligjshme, deri tek 150 tenderët sekretë – ka organizuar një skemë kriminale pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies”, është thënë në këtë komunikatë.
LDK-ja ka njoftuar se do t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat për zbardhjen e këtyre rasteve, duke u bërë tirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm.
“LDK-ja do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucionalë, ligjorë e kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit, të korrupsionit dhe të keqpërdorimeve. Njëkohësisht, LDK-ja i bën thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm, që personat dhe struktura kriminale përgjegjëse të dalin para drejtësisë”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Komunikimi në mes të Mihailit dhe Krasniqit është publikuar nga gazeta “Nacionale”.