LDK-ja respekton vendimin e Kushtetueses, mbetet e vendosur në formimin e qeverisë së re
Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, deri më 29 maj, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e vendosur që, si edhe deri më tani, të respektojë në tërësi këtë vendim.
“LDK-ja, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re. LDK-ja mbetet e vendosur që, në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë Qeverinë e re”, thuhet në deklaratë e LDK-së.
“LDK-ja dhe partnerët dje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, të mbështetur nga 61 deputetë, seancë e cila do të mbahet pas vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, meqë LDK-ja është e bindur se procesi i mandatimit të z. Avdullah Hoti është bërë konform normës kushtetuese dhe kompetencave kushtetuese që ka Presidenti i Kosovës”, theksohet në këtë deklaratë.
/Epoka e re/