LDK-ja: Rritje e çmimeve të produktet bazike gjatë tre viteve të fundit ka shkuar deri në 42%
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një reagimi për medie ka theksuar se demanton deklaratat e pavërteta të qeverisë se e njëjta është kujdesur për mirëqenie të qytetarëve.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës çmimet në Kosovë që nga marrja e mandatit të kësaj qeverie, janë ngritur përplot 25%. Kjo ngritje enorme e çmimeve është me larta ndonjëherë në historinë e Kosovës. Pra, kjo qeveri me mosveprim ka ndikuar që jeta e qytetarëve të vështirësohet. Rritje e çmimeve të produktet bazike gjatë tre viteve të fundit ka shkuar deri 42%, këto janë produkte që na duhen çdo ditë në tavolinë si: buka, mielli, vaji, kripa, sheqeri, qumështi e vezët. Krahas ngritjes enorme të çmimeve të produkteve bazike, qytetarit të Kosovës gjatë tre viteve të fundit me qeverisjen aktuale i është zbritur paga për një të katërtën në terma real”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Sipas LDK-së, propagandë të pushtetit kemi edhe kur flitet për inflacion.
“Por faktet tregojnë qartazi se Kosova ka inflacion enorm. Inflacioni është faktori kryesor që ka ndikuar në rritje të buxhetit e në qarkullim të bizneseve, të cilat qeveria po i shet si sukses, por ky veç se sukses nuk mund të quhet. Deklaratat e fryra dhe të propaganduara të kësaj qeverie, bien në kundërshtim me realitetin që po jetojmë. Lidhja Demokratike e Kosovës propagandën e kësaj qeverie, e demaskon me publikimin e shifrave zyrtare. Shifra të cilat janë shqetësuese për mirëqenien e qytetarit!”, është theksuar në reagimin e LDK-së.