LDK-ja s’bëhet pjesë e këtij dialogu pa legjitimitet politik dhe elektoral

07 shkurt 2019 | 08:09

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, ka thënë se miratimi i Ligjit për dialog i bën paralelizëm Kushtetutës dhe institucioneve shtetërore. 

Ai ka thënë se procesin e dialogut me Serbinë duhet ta udhëheqin krerët e institucioneve shtetërore që kanë përgjegjësi kushtetuese e jo bashkëkryesues të niveleve të tjera. 

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rugova ka deklaruar se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e këtij dialogu pa legjitimitet politik dhe elektoral. 

“LDK-ja tani vetëm se e ka qëndrimin zyrtar: ne jemi kundër një dialogu me improvizime, paralelizma dhe mungesë legjitimiteti politik dhe elektoral. Kosova është shtet, nuk është OJQ. Në dialog udhëheqin krerët e institucioneve, konkretisht kryeministri, e jo bashkëkryesues në nivele të tjera si kryetarë komunash, ku njëri bashkëkryesues vjen nga partia e katërt e amputuar nga një grup parlamentar pa legjitimitet elektoral, tjetri nga partia e shtatë parlamentare. Ky është degradim institucional dhe nënçmim i institucioneve të shtetit. LDK-ja kundërshton fuqishëm këtë improvizim dhe nuk bëhet pjesë e kreaturave të tilla antikushtetuese”, ka theksuar Rugova.

Ai ka thënë se Qeveria dhe partnerët e koalicionit e kanë futur vendin në krizë politike si dhe e kanë vënë në pikëpyetje miqësinë me partnerët tanë strategjikë. 

Prandaj, sipas Rugovës, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka insistuar se taksa ndaj…