LDK-ja: S’do të lejojmë që Lista Serbe ta përcaktojë fatin politik të Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas vendimit të Listës Serbe për largimin nga Qeveria e Kosovës.
Partia e drejtuar nga Isa Mustafa, LDK-ja, ka bërë me dije se në asnjë rast nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.
“Dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës konfirmon vërejtjet që kemi bërë me rastin e themelimit të Qeverisë, kur votimi i saj u vonua deri sa nuk mbërritën nga Beogradi deputetët e Listës Serbe. Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar.
Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës”.
“LDK-ja, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës. Qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës”, është thënë në komunikatën e LDK-së.