LDK-ja s’ka fuqi ta rrëzojë Qeverinë
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi, e ka quajtur joserioze iniciativën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për mbajtjen e tryezës me partitë politike për temat kombëtare, ku një ndër pikat është edhe caktimi i një date për zgjedhje të reja.
Ai ka thënë se AAK-ja nuk do të jetë pjesë e kësaj konference meqë paraprakisht është dashur përgatitje më e mirë dhe koordinim më i madh.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kuçi ka deklaruar se LDK-ja me këtë parapërgatitje e ka dëmtuar procesin e arritjes së një lloj konsensusi.
Sipas tij, arritja e konsensusit për tema kombëtare është i nevojshëm, por jo në këtë formë.
Sa iu përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Kuçi ka thënë se ato do të mbahen në vitin 2021.
Ai ka vlerësuar se LDK-ja është e pafuqishme për ta rrëzuar Qeverinë.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)