LDK-ja tani për tani nuk i frikësohet Vjosa Osmanit
Analisti politik Faton Abdullahu ka komentuar zhvillimet e fundit në LDK, sidomos qëndrimet e nënkryetares së kësaj partie Vjosa Osmanit.
Ai ka thënë se Vjosa Osmani nuk do të përjashtohet nga LDK-ja, por sipas tij, nëse ndodh një gjë e tillë atëherë mund të krijohet pakënaqësi tek votuesit e LDK-së.
“Largimi i saj mund të krijojë më shumë pakënaqësi tek votuesit e LDK-së, sesa që për Kryesinë e LDK-së mund të shkaktojë probleme qëndrimi i saj në parti. Fakti se LDK tani është në pushtet e bën që LDK-ja ta menaxhojë më mirë këtë çarje. Thënë ndryshe rreziku i LDK-së nga znj. Osmani, mund të menaxhohet dhe kontrollohet, por jo edhe revolta që mund të shkaktojë përjashtimi i saj”, ka shkruar Abdullahu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se mbledhja e LDK-së për kinse largimin e Vjosa Osmanit është për ta amortizuar revoltën e atyre që kërkojnë që Osmani të ndëshkohet për mosrespektimin e vendimeve të partisë.
“Për më shumë Kryesia e LDK-së me këtë veprim, pra kinse kemi me përjashtu Vjosën, do të mundohet të tregohet zemërgjerë dhe kinse punon për unitetin e partisë. LDK tani për tani nuk i frikësohet znj. Osmani. Kjo Kryesi bën se do ta përjashtojë për ta amortizuar kundërshtimin e saj sidomos në Kuvend. Por përkundër të gjithave Vjosa nuk do të ndalet me kundërshtime, sepse i di të gjitha këto. Kjo qarje në LDK mund ta dëmtojë punën edhe të Qeverisë. Përndryshe kur do të vijnë zgjedhjet në këtë parti, Vjosa do të mundohet të rikthehet, ndoshta edhe shumë më herët”, ka deklaruar analisti Abdullahu.
(M.Q / Epoka e re)