LDK-ja thotë se kryetari i Gjilanit e kurdisi një konkurs në Drejtorinë e Arsimit: Fatlumët, të gjithë familjarë të pushtetarëve
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan ka mbajtur një konferencë për medie, në të cilën e ka akuzuar kryetarin e komunës, Alban Hyseni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje se po e kurdis një konkurs të fundit në Drejtorinë e Arsimit.
LDK-ja ka thënë se ata që përfituan nga ky konkurs janë të gjithë familjarë të pushtetarëve.
“LDK me kohë ka paralajmëruar për kurdisjet që po i bënë Hyseni i LV-së në konkursin e fundit në Drejtorinë e Arsimit, proces në të cilin janë përfshirë edhe deputetë të kësaj partie e drejtori i DKA-së. Kjo çfarë ka bërë Alban Hyseni në këtë konkurs, i humb shpresën çdo të riu e të reje se mund të punësohen pa qenë pjesë e partisë në tyre, dhe jo vetem kaq. Duhet të jesh kunatë, balldeskë, kusheri apo shofer i kryetarit Alban Hyseni, deputetes Arjeta Rexhepi dhe deputetit Luan Aliu, si dhe drejtorit të Arsimit, Shpend Nuhiu. Nuk duhet ta harrojmë premtimin e krerëve të kësaj partie me termin se në qeverisjen e tyre do të vije “Era Shtet”, ndërkohë që e bënë pikërisht të kundërtën, duke shkelur me dy këmbët barazinë në punësim e konkurrencën”.
“Emrat e fatlumeve nga ky konkurs, që janë të gjithë familjarë të afërt me pushtetarët, janë: Valdrina Iseni – Kunata e Alban Hysenit, administratorit të Komunës. Vlora Nuhiu – Kunata e Shpend Nuhiut – drejtorit të Arsmit, i cili për një muaj mandat, bëri 2 punësime familijare. Donika Ukshini- vajza e xhaxhait të Ardita Ukshini- këshilltare e pushtetit aktual. Bleona Arifi – aktiviste e Vetëvendosje! Mile Kastrati – balldeska e Shpend Nuhiut, drejtor i Arsimit në Gjilan. Laura Sylejmani- Kunata e Arijanit Sadikut, ish- kryesuesit të Kuvendit Komunal. Floresë Zeqiri- mbesa e burrit të deputetes, Arjeta Rexhepi. Mimoza Alidemi – Balldeska e deputetit Luan Aliu. Ajshe Berisha- gruaja e fotografit të Alban Hysenit”, ka njoftuar LDK-ja.
Dega e LDK-së në Gjilan ka paralajmëruar se “nëse me këtë konkurs nuk merren organet e drejtësisë, për të shpërfaqur të gjitha parregullsitë në tërësinë e tij, përgjatë të cilit gjejmë parregullsi dhe shkelje të të gjitha neneve të UA për rekrutimin e mësimdhënëseve” atëherë “sistemi arsimor në Gjilan me këtë konkurs, do të shënojë degradimin më të madh në historinë e arsimit në Gjilan”.