LDK-ja tinëzisht ka bërë matje të opinionit, pa Vjosën del e treta
Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, ka thënë se mërgata shqiptare e mbështetë qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti. “Mërgata është e kënaqur me suksesin e madh që qeveria Kurti ka arritur në preventivën dhe parandalimin e përhapjes së shpejtë të COVID-19 dhe, gjithashtu, me nivelin e paparë profesional te përgatitjes dhe përllogaritjes së pakos përkrahëse për individë dhe operatorë ekonomik”, ka thënë Abazi.
Në një shkrim në “Facebook”, ai ka thënë se mërgata dhe senatorë e kongresmenë amerikanë nuk e kuptojnë se LDK-ja nuk flet për zgjedhjet e reja dhe më tej ka thënë se ky subjekt pa Vjosa Osmanin rrezikon të mbetet partia e tretë në vend. “Mërgata, senatorë e kongresmenë, me të cilët flasim për çdo ditë në ShBA, nuk e kuptojnë pse politikanët e LDK-së sidomos nuk kanë guximin të flasin për zgjedhjet. Për cilën demokraci po flasin nëse nuk guxojnë të shkojnë në zgjedhje. Sigurisht që kanë bërë tinëzisht matje të opinionit dhe e dinë që pa Vjosa Osmanin, rrezikojnë të mbeten e treta. Por nuk ka zëvendësim të demokracisë e legjitimitet demokratik pa zgjedhje”.