LDK-ja tregon se çfarë biseduan Osmani dhe ambasadori Kosnett
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë me dije se nënkryetarët e kësaj partie, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri janë takuar me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Sipas njoftimit të LDK-së, gjatë këtij takimi është diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe bisedimet ndërmjet kësaj partie me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht shprehë mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për mbështetjen që i kanë dhënë ShBA-të Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese. Dr. Osmani gjatë takimit ka diskutuar për prioritetet e LDK-së në institucionet e ardhshme, në veçanti për zhvillimin ekonomik, procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe sundimin e ligjit dhe ka potencuar rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve me partnerët tanë, ShBA-të dhe Bashkimin Evropian”, është thënë në njoftimin e LDK-së.
Duke iu referuar këtij njoftimi, nga ana e tij, ambasadori Philip Kosnett, ka inkurajuar LDK-në të vazhdojë qasjen konstruktive në proceset e Kosovës.
Në takim të pranishëm ishin dhe anëtarët e Kryesisë, Kujtim Shala dhe Besian Mustafa.
/Epoka e re/