LDK-ja u bën thirrje shqiptarëve të Maqedonisë të marrin pjesë në referendum
Në prag të mbajtjes së referendumit në Maqedoni, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije se ka ndjekur me kujdes të madh të gjitha zhvillimet lidhur me procesin e ndryshimit të emrit të Republikës së Maqedonisë, si dhe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit institucionalë e politikë të shqiptarëve të Maqedonisë.
LDK-ja vlerëson se vendi ynë fqinj, Maqedonia, është para një momenti shumë të rëndësishëm dhe historik për të ardhmen e popujve të saj.
Sipas kësaj partie të dielën qytetarët e Maqedonisë do të vendosin për të ardhmen evropiane të vendit të tyre, për prosperitetin dhe për sigurinë e rajonit tonë.
“LDK-ja vlerëson se është në interesin jetik të shqiptarëve të Maqedonisë dhe në interesin e shqiptarëve kudo që janë, që shqiptarët e Maqedonisë, të dielën, të marrin pjesë masovisht në referendum dhe të votojnë pro marrëveshjes historike”, është thekuar në komunikatë.
LDK-ja u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që këtë moment historik ta përdorin në interesin e tyre dhe në të mirë të së ardhmes evropiane të shtetit të tyre.
/Epoka e re/