LDK-ja vendos që të mos ketë takime me Vetëvendosjen pa u certifikuar rezultati zgjedhor
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në mbledhjen e sotme ka vendosur që strukturat e kësaj partie të mos zhvillojnë asnjë takim me Lëvizjen Vetëvendosjen për koalicion qeverisës, derisa nuk certifikohet rezultati i zgjedhjeve.
Pas mbledhjes, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë se LDK-ja ka vullnet të flas me LV-në, por pas certifikimi të rezultateve.
“Është mirë që të synojmë të arrijmë marrëveshje në kohë rekord. Kur të certifikohen rezultatet të mos na marrë më shumë se dy-tri javë. Brenda nëntorit, nëse gjatë tetorit kemi rezultat final atëherë brenda nëntorit do të duhej të finalizojmë diskutimet. Kemi vullnet që sa më shpejtë të përfundojmë diskutimet, por pasi të dihen rezultatet. Nëse edhe VV-ja ka vullnet, s’shoh se mund të ketë probleme të mëdha”, ka thënë Mustafa.