LDK-ja: Zhvillimet e fundit në Kuvend, shkaktar për dështimin e takimit në Bruksel
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nëpërmjet një komunikate për medie ka vlerësuar se arsyeja kryesore e dështimit të takimit të sotëm në Bruksel në mes të presidentëve Thaçi-Vuçiq ka të bëjë me zhvillimet politike brenda Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj jave.
Sipas kësaj partie, presioni i opozitës për miratimin e rezolutës, përmes së cilës do të ndalej procesi i pazareve me kufijtë e Republikës së Kosovës, ka dërguar sinjal në Bruksel se Thaçi nuk mund të bisedojë për këtë temë.
“LDK do të vazhdojë fuqishëm ta kundërshtoj këtë formë të dialogut, ku presidenti pa mandat nga Kuvendi i Kosovës t’i prijë këtij procesi, si dhe të ndalojë secilin institucion që hyn në aventura ku mund të cenohet territori, integriteti dhe sovraniteti i vendit”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
LDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive politike parlamentare që të vijnë në seancën e jashtëzakonshme të ftuar nga opozita dhe ta miratojmë rezolutën që lidhet me mbrojtjen e sovranitetit të vendit.
“LDK beson që dialogu është forma e vetme e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me të gjitha vendet e rajonit, por këtij procesi duhet t’i prijnë institucione legjitime dhe me mandat të qartë kushtetues. Vetëm zgjedhjet e reja mund të prodhojnë institucione të tilla”, është theksuar në vazhdimin e komunikatës së LDK-së.
/Epoka e re/