LDK-ja zyrtarisht bojkoton RTK-në
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), zyrtarisht ka bojkotuar prezencën në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), deri në anulimin e procesit të përzgjedhjes së drejtorit të këtij televizioni.
LDK-ja ka vlerësuar se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK është kapje e plotë e këtij institucioni publik i cili po shndërrohet në mjet propagande për pushtetin.
“LDK-ja ka reaguar rreth kësaj përzgjedhje dhe deri në anulimin e këtij procesi me të gjitha strukturat e saj udhëheqëse do ta bojkotojë prezencën në këtë kanal publik”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Kjo parti po ashtu i bën thirrje të gjithë akterëve të tjerë, subjekteve politike e organizatave vendore e ndërkombëtare si dhe figurave të pavarura që të ndjekin një hap të tillë.
“LDK-ja solidarizohet me gazetarët dhe të gjithë punëtorët që kanë punuar shumë dhe kanë informuar të gjithë qytetarët tanë drejtë dhe në mënyrë të pavarur. Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur. Prandaj, LDK-ja edhe njëherë kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë, dhe derisa sa kjo të ndodhë, LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision, apo format që organizohet nga ky transmetues”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Kujtojmë se në krye të RTK-së si drejtor, është vendosur militanti i Vetëvendosjes dhe njeriu i afërt me pushtetin, Rilind Gërvalla