LDK: Kuvendi urgjentisht t’i vendosë vija të kuqe Thaçit

28 qershor 2018 | 20:17

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një komunikate për medie, ka ritheksuar se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë. Aty thuhet se sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

 

Tutje, në komunikatë thuhet se “së këndejmi, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”.

“Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit”, përfundon komunikata e LDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi sot se mbrojtja e kufijëve…