LDK nuk bën koalicion me kryeministër Albin Kurtin
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, ka thënë se partia e saj nuk ka vija të kuqe me asnjë parti, por ka theksuar se nuk bëjnë koalicion nëse kryeministër propozohet të jetë Albin Kurti.
Ajo është shprehur se LDK-ja pas zgjedhjeve do ta shohë pozicionin e saj.
“LDK-ja nuk ka vija të kuqe me askënd, dukshëm vijat e kuqe ndër vite janë shndërruar në të kaltra e të gjelbra. LDK nuk bën koalicion me kryeministër Albin Kurtin, nuk bën koalicion nëse ai është kryeministër. LDK ka me ofertu iniciativën e vet politike, ka me shiku ku e pozicionon qytetari, pastaj shohim e bëjmë”, ka deklaruar ajo në RTV Dukagjini.
Ajo ka drejtuar kritika ndaj Kurtit, për të cilin tha se nuk e di as çka është Kushtetuta.
“E ki kryeministrin e Kosovës që aktin më të lartë e ka Kushtetutën, idenë më të vogël nuk e ka çka është Kushtetuta… s’e ka idenë e ndarjes së pushteteve, apo nuk i konvenon demokracia si sistem. Kryeministrit nuk i konvenon demokracia si sistem. Të mos e kuptosh faktin pse gjyqtarë nuk i nënshtrohen votës, është shpërthim i absurditetit”, tha ajo.