LDK optimiste për marrëveshjen finale, LVV kundërshton takimin e Brukselit
Pas dy diskutimeve në distancë nesër pritet të takohen për herë të parë, kokë më kokë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në tentim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, pas rreth 20 muajsh vonesë në kryeqendrën evropiane do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi. Por takimin e Brukselit partitë politike në Kosovë po e shohin në këndvështrime të ndryshme.
Derisa në Vetëvendosje thonë se kryeministri Hoti po shkon në takim si i pabarabartë përballë Serbisë, në partinë në pushtet, LDK shprehen entuziast se brenda këtij viti mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Ndërkaq në PDK nuk presin që të ketë një marrëveshje finale të shpejtë.
Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi thotë për KosovaPress se takimi i së enjtes do t’i kontribuojë vetëm përcaktimit të temave dhe orarit të zhvillimit të diskutimeve deri në përfundimin e tij.
Ai u shpreh i sigurt se ky do të jetë viti i fundit i dialogut Kosovë-Serbi, e që sipas tij nuk do të ketë ndonjë surprizë të keqe për vendin, pasi do të merret për bazë Kushtetuta e Kosovës.
“Takimi i enjtes në Bruksel do t’i kontribuojë përcaktimit të temave dhe orarit të zhvillimit të diskutimeve deri në përfundimin e tyre. Jemi në vitin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi, këtë e ka thënë edhe përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë zotëri Grenell, këtë e kanë thënë edhe përfaqësues të BE-së. Ne insistojmë si Kosovë që kjo të përfundojë sa më shpejtë ka 10 vite tash që po diskutojmë me Serbinë është barrë e madhe të merremi me diskutime që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të vendit tonë, por që ndërlidhen edhe me aspektin e brendshëm të konsolidimit tonë si shtet. Unë besoj fuqishëm se edhe kryeministri Hoti e qeveria, por edhe parlamenti do të kenë rol kyç në dialog. Nuk pres surprizë të keqe për ne, besoj se secili që shkon në këto negociata, duke e përfshirë edhe kryeministrin Hoti e kanë parasysh Kushtetutën e Kosovës”, thotë ai.
E kategorik kundër këtij takimi u shpreh për KosovaPress shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, i cili thotë se kryeministri Hoti po shkon në takim pa legjitimitet, plan, ekip dhe vizion.
“Hapat drejt këtij dialogu nga ana e Avdullah Hotit janë të gabueshëm. Ai po niset për të shkuar me këtë raport përballë Serbisë, përveç pa legjitimitet, pa plan, pa ekip, pa vizion dhe po ashtu pa mbështetjen e parlamentit të Kosovës. Kështu që Hoti nuk do të duhej të shkonte atje, jo vetëm në mungesë të këtyre faktorëve, por për shkak se Kosova e ka një pozicion shumë të pabarabartë përballë Serbisë. E këtë pabarazi e ka shtuar vet veprimet e Hotit i cili ka hequr masat e reciprocitetit që ka pranuar të shkojë i pabarabartë edhe normalisht dhe praktikisht përballë Serbisë. Ka hequr dorë nga barazia përballë Serbisë, këto janë parakushtet që ne nuk do të përballeshim me Serbinë me këto pozicione të pafavorshme për Kosovën”, thotë Selimi.
Kurse, deputeti i PDK-së, Bajrush Xhemajli thotë se në takimin e Brukselit nuk pret që të diskutohen gjëra konkrete që shpien në arritjen e një marrëveshje finale.
“Mendoj që është herët me të vijmë në situatë të tillë për çështje konkrete, ky është fillimi i vazhdimit të dialogut dhe nuk pres që shpejtë do të bëhet diçka”, thotë ai.
Në këto dy javët e fundit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë zhvilluar dy takime virtuale.
Pas këtyre diskutimeve, kreu i ekzekutivit në Kosovë vazhdimisht ka potencuar se ka kërkuar njohjen reciproke dhe respektimin e rendit Kushtetues dhe sovran në marrëveshjen finale.