LDK për Marrëveshjen e Demarkacionit, por pa bashkëngjitje të dokumenteve kontradiktore
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një komunikate për media ka treguar për qëndrimin e vet që do ta ketë nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës gjatë të cilës pritet ratifikimi i Projektligjit për Demarkacionin Kosovë – Mali i Zi.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet Ratifikimin e Projektligjit për Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe Deklaratën politike të presidentëve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila përbëhet nga dy nene të Marrëveshjes së gushtit 2015, dhe do të votojë PËR këtë Projektligj vetëm me këtë përmbajtje”, është bërë e ditur në këtë komunikatë.
Sipas kësaj komunikate, kjo parti nuk mund të mbështesë Ratifikimin e Projektligjit, nëse të njëjtit i bashkëngjiten dokumente kontradiktore.
“LDK-ja nuk mund të mbështesë Ratifikimin e Projektligjit, nëse të njëjtit i bashkëngjiten dokumente kontradiktore. LDK-ja në vazhdimësi ka theksuar se Marrëveshja e 26 gushtit 2015 është në përputhje me të gjitha faktet dhe në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe mos ratifikimi i saj deri më tani, e mbajti vendin tonë të izoluar dhe larg perspektivës evropiane. LDK-ja do të vazhdojë të mbështesë perspektivën dhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike”, përfundon komunikata.