LDK përgatitet për Kuvendin, 335 delegatë në një sallë me lejen e autoriteteve
Sekretari i LDK-së, tha për T7 se kanë lejen e autoriteteve përkatëse, që të mblidhen në sallën e paraparë.
Tashmë i kanë filluar përgatitjet.
Kjo sallë e njërit prej hoteleve në Prishtinë, të dielën do mbushet me delegatë të 38 degëve të LDK-së në qytete të ndryshme dhe jo vetëm.
Në këtë sallë ku po bëhen përgatitjet, të dielën më 14 mars pritet që të mblidhen 335 delegatë që do zgjedhin Kryetarin e ri.
Ani pse në një vendim të kryeministrit në detyrë, të marrë në 10 ditshin e parë të shkurtit ndalon tubimet e më shumë se 80 personave në hapësirat e mbyllura, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se kanë lejen për ta zhvilluar një mbledhje të tillë.
Sekretari i kësaj partie, Arban Abrashi i ka thënë T7 se kanë lejen e autoriteteve përkatëse, që të mblidhen në sallën e paraparë por duke respektuar masat anti – covid.
Abrashi tregoi se deri më tani, janë vetëm katër kandidatura të konfirmuara, të cilat tashmë janë bërë publike.
Ndërsa nuk përjashton edhe mundësinë, që edhe të dielën, të ketë ndonjë kandidaturë të shpallur aty për aty, pasi po përfolën edhe emra të tjerë.
Kanidaturat për të parin e LDK-së i kanë shpallur edhe Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Anton Quni dhe Besian Mustafa.