LDK pret mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme ndaj presidentit
Për shkak të mungesës së numrave në Kuvend partitë opozitare kishin dështuar të mbajnë seancën e jashtëzakonshme ku pritej të nxirrej rezoluta për ndalimin e presidentit Hashim Thaçi që të diskutojë me Serbinë për kufijtë.
Por përfaqësuesit e opozitës thonë se nuk janë zmbrapsur nga kërkesat e tyre për seancë. Kritikojnë kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli i cili ka thirrur seancat e rregullta gjatë javës duke mos ia dhënë edhe një mundësi opozitës për seancë të jashtëzakonshme.
Deputetja e LDK’së, Hikmete Bajrami thotë se janë në pritje të mbajtjes së kësaj seance.
“Është obligim kushtetues i Kadri Veselit që me e thirr seancën e kërkuar nga opozita me 51 nënshkrime. Është e vështirë që me u zhvillu një seancë tjetër pa u kry kjo seancë. Ne kërkojmë, edhe partitë e tjera deklarativisht kanë thënë se janë për mbrojtje të kufijve kështu që nuk e di se kujt po i pengon rezoluta. Ajo kërkesë është ‘pending’, ne nuk e marrim si të përfundume. Është komplet e pajustifikueshme që me kërku prej opozitës, siç ka kërku z.Veseli që me i pasë 61 numra. Ne e kemi thënë për të satën herë që në momentin kur t’i kemi 61 numra ne çojmë Qeverinë në mosbesim, nuk ka nevojë që të marrim hapa të tjerë”, ka deklaurar Bajrami për “rtv21”.
Opozita në Kosovë me një rezolutë po tenton ta ndalojë presidentin e Kosovës që ta diskutojë në Bruksel me Vuçiqin çështjen e korrigjimit të kufijve.