LDK-ja thotë se i ka ofruar zgjidhje koalicionit për demarkacionin

22 shkurt 2018 | 21:31

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka lëshuar në mbrëmjen e së enjtes një komunikatë për media, duke shprehur gatishmërinë e saj për ta votuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

LDK-ja ka thënë se i ka ofruar zgjidhje koalicionit qeverisës për demarkacionin, por nuk ka treguar se çfarë saktësisht.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, në takimet me partitë e koalicionit qeverisës, ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme, e cila i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK-ja u ka bërë thirrje partive të koalicionit qeverisës që të dakordohen me zgjidhjen e propozuar nga ajo, dhe t’i sigurojnë votat e shumicës qeverisëse.

“LDK-ja i siguron qytetarët se vullneti i saj është në përputhje të plotë me vullnetin e tyre për lëvizje të lirë dhe se grupi jonë parlamentar është unik në këtë qëndrim”, ka përfunduar komunikata e LDK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Napoli ka fituar 2-0 në Gjermani ndaj Leipzig, por nuk…