‘Le Monde’: Loja e rrezikshme dhe dyfishtë e Serbisë
Editorial i gazetës franceze “Le Monde”
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, fitues i zgjedhjeve të shoqëruara me parregullsi, ka refuzuar t’i mbështesë sanksionet kundër Rusisë dhe nuk ka hequr dorë prej ambicieve të tij që ta rimarrë Kosovën, duke rrezikuar kësisoj që t’i shtyjë gjasat e vendit të tij për integrim në BE
Larg prej fushëbetejave në Ukrainë, një tjetër front i luftës së Rusisë po shpaloset në Ballkan, ku Moska ka tentuar t’i shfrytëzojë tensionet nacionaliste kundër aspiratave të vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zëdhënësja diplomatike e Rusisë, Maria Zakharova, së fundi i krahasoi protestat në Serbi kundër mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit me ato të Sheshit Maidan në Kiev më 2014 – të cilat hapën rrugën për ardhjen e liderëve properëndimorë në pushtet në Ukrainë.
Qëkur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me qindra demonstrues i sfiduan përditë forcat e sigurisë për të protestuar kundër parregullsive të vëzhguara zgjedhore. Përderisa rezultatet zyrtare flasin për një fitore me 46.72 për qind të votave për Partinë Progresiste nacionaliste të presidentit, Aleksandar Vuçiq, vetëm 23.58 për qind e votave shkuan për koalicionin proevropian “Serbia Kundër Dhunës”, shtatë prej liderëve të të cilit janë në grevë urie.
Vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Evropës denoncuan parregullsi serioze, përfshirë “blerjen e votave” dhe “mbushjen e kutive të votimit”. Megjithëkëtë, presidenti serb ka insistuar se zgjedhjet “ishin më të drejtat në historinë e fundit të Serbisë” teksa ka akuzuar “shtetet e fuqishme të huaja” se synojnë “ta destabilizojnë vendin”.
Ky kontekst helmues e reflekton strategjinë e tensioneve të Vuçiqit, duke i konfirmuar dyshimet në rritje për orientimin evropian të Serbisë. Duke qenë në pushtet prej pothuajse 10 vjetësh, presidenti ka shpërfaqur admirimin e tij për ish-diktatorin Slobodan Milosheviq, i cili vdiq para se të përfundonte gjykimi i tij për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Vuçiqi nuk hoqi dorë nga ambicia e tij për ta rimarrë kontrollin mbi Kosovën – pavarësinë e së cilës nuk e pranoi kurrë që prej shpalljes së saj më 2008 – siç mund të demonstrojë edhe operacioni i zmbrapsur i komandove serbë, i ndërmarrë në shtator.
Së fundmi, ani se është president i një shteti që është kandidat për anëtarësim në BE (prej së cilës ka pranuar fonde), ai ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë dhe ka ndaluar së zbatuari reformat e kërkuara nga blloku.
Evropianët qysh moti besonin se marrëdhëniet tregtare të Serbisë me BE-në, si dhe zhvillimi ekonomik i vendit, në fund të fundit do të triumfojnë mbi retorikën nacionaliste të Vuçiqit. Ata tani e kanë çdo arsye për ta parë lojën e tij të dyfishtë me kujdes. Franca, në veçanti, është shumë e lidhur me ambicien për ta ankoruar Ballkanin – dhe rrjedhimisht edhe Serbinë – në bllok. Kjo dilemë nuk është asgjë tjetër veçse e drejtpërdrejtë, ngase sa më e largët të duket të jetë hyrja e Serbisë në BE, aq më tepër do të përfitojnë nga kjo situatë Rusia e Kina për t’i avancuar interesat e tyre.
Megjithëkëtë, shembulli i vendosur nga Hungaria e Viktor Orbanit, e që ka synuar të veprojë sikurse Kali i Trojës i Rusisë përbrenda BE-së, duhet t’i shtyjë vendet anëtare të kërkojnë pajtueshmëri të plotë dhe të pakthyeshme me sundimin e ligjit, për ta parandaluar Beogradin që një ditë ta përsërisë taktikën e njëjtë. Evropianët e dinë nga historia e tyre se rreziqet e një krize në Ballkan mund të mbartin pasoja shkatërruese, larg përtej vetë rajonit. Kundruall sfondit të përkeqësimit të tensioneve nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, ata duhet të jenë vigjilentë përballë teprimeve të presidentit serb.