“Le Monde” vlerëson Kadarenë mes 100 shkrimtarëve më të mirë
Shkrimtari shqiptar dhe vepra e tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” përfshihet në listën e 100 romaneve më të mirë. Lexuesit spanjishtfolës duan Nobelin për shkrimtarin e madh shqiptar
Gazeta franceze “Le Monde” ka përzgjedhur në listën e 100 shkrimtarëve më të mirë, edhe Ismail Kadarenë më romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Ky suplement vjen në formën e sugjerimit për lexuesin, të një plejade elitare të autorëve të evidentuar nga kritiket e gazetës që prej vitit 1946. Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare dhe vepra e tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” është përfshirë në listën e 100 romaneve më të mirë që kritikët e gazetës “Le Monde” kanë evidentuar që prej krijimit të saj në 1946.
Kadare renditet mes shkrimtarëve të mëdhenj të këtij shekulli, si Kazanzaqis, Pasternak, Kundera, Solzhenicin, Aragon, Jurcenar, Graham Greene, Salman Rushdie etj. Kjo plejadë elitare vjen si një sugjerim për lexuesin, nëpërmjet një suplementi të veçantë letrar, që këshillon mes tyre edhe romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të prezantuar me kritikën që Alen Boske i ka bërë në “Le Monde” në vitin 1970. “Ajo që godet menjëherë është ironia fine e autorit, gjenerali i tij italian nuk është një karikaturë. Ai ka virtytet e tij, një nga të cilat është besimi gjysmak në misionin e vet, dhe të meta si për shembull indiferenca ndaj gjithçkaje” shkruan Boske për romanin e Kadaresë.
Për kritikët e “Le Monde”, kjo përzgjedhje e vetëm disa shkrimtarëve mes emrave të mëdhenj, nuk ka qenë një punë e lehtë. Në suplement sqarohet se lista e autorëve ka qenë fryt i diskutimeve dhe debateve të forta. Kujtojmë që vepra tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, është botuar më 1963 në Tiranë. Vepra nisi së pari si një tregim të cilin e botoi më 1962 dhe më pas u përpunua dhe u botua si roman vitin pasues po në Tiranë.
Vepra u përkthye në gjuhë të tjera dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare. Vepra frymëzoi dhe u përshtat në zhanre të tjera të artit, si filmi “Kthim i ushtrisë së vdekur” i Dhimitër Anagnostit dhe përshtatja në filmin dramatik “Il Generale dell’armata morta” të italianit Luciano Tovolit më 1983.