Leart Krasniqi, talenti që po shkëlqen në futbollin suedez
Një nga talentët më të dalluar shqiptar të futbollit në Suedi për moshat 17 vjeçe padyshim është i riu Leart Krasniqi. Ai së bashku me prindërit dhe vëllezërit e tij jeton në Stokholm.
Qysh si fëmijë i vogël ka treguar dashuri të veçantë për topin dhe babai i tij duke vërejtur se ai e donte jashtë mase lojën me top e regjistron te klubet e afërta të futbollit ku nga viti në vit bënte përparime të mëdha.
I dëgjueshëm, i rregullt në stërvitje dhe zhdërvjelltësia në ndeshjet e zhvilluara ia hapën portat drejt klubeve më të njohura.
Pas tri vitesh te klubi IFK Tumba, Leart Krasniqi nënshkroi para dy vitesh kontratë profesionale me IF Brommapojkarna që bën gara në Ligën elitare të Suedisë, Allsvenskan.
Në saje të talentit që posedon, Learti fitoi besimin e trajnerëve dhe respektin e bashkëlojtarëve.
Në kampionatin e sivjetmë arritën të fitojnë titullin e kampionit të Suedisë për U17 në ligën elitare të Suedisë, Allsvenska.
Në 26 ndeshje, Learti ka shënuar 22 gola dhe ka bërë 19 asiste si mesfushor ofansiv.
Si çdo i ri që e do futbollin edhe Learti synon një të ardhme të ndritur në këtë sport.
Rezultatet e deritashme dëshmojnë se çdo gjë mund të arrihet.
Dhe për këtë babai i tij me gjithë angazhimet e përditshme në punë sakrifikoi gjatë gjithë kohës për ta ndihmuar në përmbushjen e dëshirave të t’ birit.
Një fakt që po vërtetohet gjatë gjithë kohës: Learti vazhdon të mbetet ”tmerri i portierëve”!
Trajnerët e kombëtareve në Tiranë e Prishtinë duhet ta kenë parasysh këtë talent të rrallë dhe të mos lejojnë që ta rrëmbejnë të tjerët.