LeBron: Këto janë 23 ndeshjet më të rëndësishme të karrierës time
Me 27 fitore dhe 32 humbje, skuadra e Lakersave është jashtë zonës “play-off” në NBA këtë sezon.
Kjo do të thotë një tjetër sezon i dështuar për kalifornianët, që për të dytin vit me radhë rrezikojnë të mos shkojnë në “play-off” (ku shkojnë gjashtë ekipet e para) apo në “play-in” (luajnë ekipet në vendet 7-10). Lakersat aktualisht renditen në vendin e 13-të, por renditja është e ngjeshur dhe asgjë nuk është e pamundur.
Pas ndeshjes së “All Star Game”, kapiteni i Lakersave, LeBron James, ka folur për pjesën e mbetur të sezonit. Ai beson se edhe merkato e janarit e kryer nga klubi do të jap rezultat. “Janë ende edhe 23 ndeshje për t’u luajtur. Do të jenë 23 ndeshjet më të rëndësishme të karrierës time për një sezon të rregullt. Ky është mentaliteti im. Shpresoj që kjo gjë të vlejë edhe për shokët e mi të skuadrës, për të arritur objektivin minimal, që është ‘play-off’-i”, ka thënë LeBron James.
Dy javë më parë, “king James” u bë shënuesi më i mirë në historinë e NBA-së, duke kaluar legjendën Kareem Abdul-Jabbar. Kampionati do të rinisë pas disa ditësh pushime për shkak të ndeshjes së yjeve, zhvilluar në Salt Lake City, ku “team Giannis” mposhti atë të “team LeBron”.