LeBron: Sezonin tjetër, Lakersat më të fortë se këtë vit
Skuadra e LA Lakersit u shpall kampione e NBA-së pas 10 vjetësh pritje, në një nga sezonet më të vështira të historisë si pasojë e pandemisë Covid-19. Por çfarë do të ndodhë sezonin e ri? A do të jenë sërish Lakers pretendent për titull? Ai që u jep përgjigje këtyre pyetjeve është LeBron Jamesi.
“Ne jemi kampionët në fuqi dhe kemi për detyrë të qëndrojmë sa më shumë në majë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse sezonin e ri të jemi edhe më të fortë se këtë vit”, ka thënë James.
LeBron dhe Anthony Davis u përzgjodhën në pesëshen titulluare të këtij sezoni të NBA-së, një fakt ky që konfirmon për forcën e skuadrës kaliforniane, që kishte në radhët e saj dy nga yjet e kampionatit. “Merkato e këtij viti ofron shumë opsione interesante, ndaj jam i sigurt se edhe Lakersat do t’i bëjnë lëvizjet e duhura”, ka shtuar LeBron James, referuar faktit se Goran Dragiq e Serge Ibaka do të jenë lojtarë të lirë. Po ashtu, edhe mjaft basketbollistë të tjerë presin të lëvizin. “Kemi një ekip të mirë dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përforcohemi edhe më shumë. Sezonin tjetër do të jetë më e vështirë, sidomos në Perëndim, pasi Clippersi, Dallasi apo Golden State do të jenë ndryshe. Kjo konferencë është një bombë që mund të shpërthejë në çdo çast. Të fitosh një titull të dytë radhazi është gjithnjë më e vështirë”, ka deklaruar Jamesi.