LeBron shpëton Lakersat nga humbja
Vijon kriza e skuadrës së Clevelandit, që është pse shkarkoi trajnerin sërish nuk arrin të fitojë. Cavaliers u mundën 126-94 nga Charlotte, ndeshje e dominuar nga kjo e fundit, që e thelluan epërsinë nga perioda në periodë.
67 pikë për Charlotte u realizuan nga lojtarët e stolit, çka tregon për një lojë të mirë kolektive, ndërsa te Cleveland ndihet mungesa e një lideri si dhe ajo e Kevin Love, i dëmtuar. Indiana triumfon në sekondat e fundit 102-101 ndaj Boston, në një përballje me shumë rivalitet dhe emocione, e hapur deri në fund. Oladipo me 24 pikë e 12 rebaund ishte vendimtar për Indianën, duke i bërë të pavlefshme 23 pikët e Morris për Celtics.
Fitorja e dytë radhazi për Lakersat, që mundën 114-110 Portlandit në shtëpinë e këtij të fundit. Kalifornianët e dominuan ndeshjen, por në fund rrezikuan ta humbsinin atë. Më i mirë për Lakersat ishte LeBron James me 28 pikë mbështetur edhe nga Rondo me 17 pikë e 10 rebaund për Portlandin u dalluan Lillard e McCollum me nga 30 pikë secili, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen. Skuadra surprizë në perëndim mbetet ajo e Denverit, që e mundi 103-88 Utah Jazz dhe qëndron si forca e dytë, pas Golden State. Për Denverin u dalluan Harris me 20 pikë dhe Morris me 19, një dyshe që po bën diferencën në fushë në çdo takim.
Një moment të mirë po kalon edhe Houston, që triumfoi 96-88 ndaj Chicagos jashtë fushe, një ndeshje me rivalitet në pjesën e parë, ndërsa në të dytën erdhi shkëputja e Rockets. Harden me 25 pikë bëri diferencën në fushë për miqtë, ndërsa 21 pikët e LaVine mbetën për statistikë. Fiton edhe Atlanta, që mundi 123-118 Miami, ndeshje me rivalitet e emocione, ku u dallua Young me 24 pikë e 15 rebaund. Pa problem fiton edhe skuadra e San Antonio, që mposhti 109-96 New Orleans, ndeshje e dominuar nga Spurs, me DeRozan që realizoi 26 pikë e Aldridge, që e mbylli me 22 pikë e 12 rebaund. /Telesport/
Rezultatet
Charlotte – Cleveland 126-94
Indiana – Boston 102-101
Atlanta – Miami 123-118
Chicago – Houston 88-96
San Antonio – New Orleans 109-95
Denver – Utah Jazz 103-88
Portland – Lakers 110-114