LeBron: Tani përgatitem për titullin tjetër
LeBron James dhe Lakersat përgatiten për një tjetër sezon të vështirë në NBA, ku do ta mbrojnë titullin e fituar pak muaj më parë. Sezoni 2020-2021 do të nisë më 22 dhjetor, vetëm pak ditë para Krishtlindjeve.
“E pranoj, që do të dëshiroja t’i kaloja ato ditë me familjen. Nuk prisja që sezoni të niste kaq shpejt. Kisha caktuar pushimet me familjen, por planet ndryshuan”, ka thënë LeBron.
“Kam pak ditë që kam rinisur stërvitjen me ritëm të plotë dhe ende nuk jam në formë. Jam mësuar me problemet e vogla fizike. Ato nuk më kanë ndalur asnjëherë dhe nuk do të më ndalin tani. Jam në një moment të rëndësishëm të jetës time. Dua të vazhdoj të fitoj dhe frymëzoj njerëzit. Dua të luaj në nivele të larta, për veten, familjen, skuadrën dhe tifozët”, u shpreh LeBron James.
Në lidhje me sezonin e ri, ylli i NBA-së ka deklaruar: “E di që të gjitha skuadrat do të luajnë për t’i mundur Lakersat këtë sezon. Pra, jemi në qendër të vëmendjes. Tani nis një sfidë e re dhe do të jemi gati. Shqetësohem për atë që vjen, jo për atë që kaloi. Nuk kënaqemi me një titull, duam të triumfojmë sërish, këtë gjë e duan të gjithë në ekip dhe besoj se mund t’ia dalim mbanë”, ka deklaruar “King James”.