Leclerc dhe Sainz përplasen mes vete pas garës në Spanjë
Gara e Spanjës në Formula 1 ishte disi anonime për Ferrari, me dy pilotët e saj që e mbyllën garën në po ato vende që e nisën: 5-6. Gjithsesi, “kokëkuqja” tërhoqi vëmendjen pas deklaratave akuzuese që dy pilotët e saj, Charles Leclerc e Carlos Sainz dhanë pas garës për njëri-tjetrin.
Përplasja mes tyre nisi nga një parakalim i spanjollit ndaj monogaskut: “Parakalimi i Sainz ndaj meje në fillim të garës ishte i pavend. Plani ishte të ruheshin gomat. Unë bëra kthesën e fundit, ai nuk e bëri dhe më pas ai më rrëshqiti. Nuk kishte kuptim të merrja këtë lloj rreziku”. “Unë pata një dëmtim të vogël në krahun e përparmë që më kushtoi pak kohë. Le të themi se donte të bënte një shfaqje, por kjo më
kushtoi një pozicion. Ai mund të kishte bërë diçka ndryshe nga pikëpamja strategjike. Nuk po arrijmë askund me atë që bëmë, tani duhet ta analizojmë me kujdes garën tonë”, ka thënë Leclerc. Nga ana e tij, Sainz përgjigjet troç: “Ne kishim goma të buta të reja në fillim, Mercedes i kishte të përdorura, kështu që duhej të sulmonim menjëherë. Charles bëri një gabim dhe shfrytëzova rastin. Nuk e di se për çfarë duhet të ankohet Charles. Nuk është se mund të pres të qëndroj pas tij gjatë gjithë jetës”. “Prisja një rezultat më të mirë këtu në Barcelonë, për të qenë pak më afër podiumit. Red Bull dhe McLaren janë larg dhe në pista si kjo, Mercedes duket se është përpara nesh. Në pistat si ajo e radhës, në Spielberg, në pistat me shpejtësi të mesme, ne luftojmë më shumë se kundërshtarët tanë”, ka thënë Sainz.