Leclerc: Duam ta kthejmë Ferrarin aty ku i takon
Ditët e fundit Lewis Hamilton ka tërhequr vëmendjen te Ferrari, makinë me të cilën do të garojë këtë sezon në Formula 1.
Piloti britanik do të ketë si shok skuadre Charles Leclerc, që nuk synon të hapë kollaj krahun.
Monegasku shpreson shumë që këtë vit të duelojë për titullin. “Formula 1 është një sport relativ dhe ne mund të dimë vetëm se çfarë bëjmë vetë. Për momentin ne po bëjmë gjithçka mirë dhe si ekip jemi shumë më solid”, ka thënë Leclerc.
“Ne nuk e dimë nëse Red Bull apo McLaren kanë gjetur diçka të veçantë për makinën e këtij viti. Ne fokusohemi vetëm te vetja dhe përpiqemi të bëjmë punën më të mirë që mundemi për të pasur një makinë të mirë”, ka shtuar monegasku.
“Ferrari është i jashtëzakonshëm, sepse ka shumë pasion brenda ekipit dhe kjo është fantastike sepse të gjithë janë të gatshëm të punojnë një orë shtesë dhe janë vërtet të motivuar për të ndryshuar gjërat për mirë. Kur gjërat shkojnë keq, njerëzit që punojnë këtu vuajnë më shumë, sepse ata kanë një lidhje emocionale me markën. Tani mendoj se kemi marrë këtë hap për të rikthyer këtë markë në lavdinë e dikurshme”, ka deklaruar Leclerc.