Leclerc: Kjo ishte gara ime më e mirë me Ferrarin këtë sezon
Një tjetër garë e nisur nga “pole position” nga ana e pilotit monogask Charles Leclerc nuk i dha atij fitoren, ashtu sikurse ndodhi në Las Vegas. Gjithsesi, vendi i dytë që korri në këtë garë, pas një parakalimi spektakolar ndaj Sergio Perez dy kthesa nga fundi, ishte si një fitore për pilotin e Ferrarit.
“Nga njëra anë është adrenalina e xhiros së fundit dhe të parakalimit në kthesat e fundit. Nga ana tjetër është zhgënjimi që nuk arritëm dot te fitorja, pasi në këtë garë mund t’ia kishim dalë mbanë. Ishim më të shpejtët në pistë, por për fat të keq na penalizoi makina e sigurisë, që hyri në momentin e gabuar”, ka thënë Leclerc.
“Fakti që gomat e mia u përdorën 5 xhiro më shumë nuk ndikoi. Dhashë gjithçka në pistë, por mund të them që fati nuk na ndihmoi. Nuk bëmë gabime në këtë garë, ndaj buzëqeshim sadopak edhe me këtë vend të dytë. Fakti që jemi vetëm 4 pikë pas Mercedesit na jep besim për garën e radhës, ku vendoset gjithçka”, ka deklaruar Leclerc.
“Mendoj se kjo ishte makina më e mirë Ferrari që kam pilotuar këtë sezon për sa i përket ritmit të garës. Shpresoj që kështu të vazhdojmë edhe në garën e fundit, pasi kemi nevojë për një tjetër paraqitje të mirë e të kapim vendin e dytë”, u shpreh Leclerc.