Leclerc: Më mirë një fitore në garë sesa të arrij ‘pole position’ dhe të humbas
Edhe pse këtë sezon të Formula 1 ka arritur të çojë disa herë makinën Ferrari në “pole position”, piloti monogask Charles Leclerc nuk ka mundur të fitojë.
Madje piloti i “kokëkuqes” nuk ka një marrëdhënie të mirë me “pole position”, pasi në shumicën e rasteve që është nisur i pari nuk e ka fituar garën.
“Ritmi i garës është ende një ngërç për ne. Kam siguruar ‘pole’ në dy garat e fundit, por s’ka mjaftuar për të fituar. Përparësi për ne mbetet dita e diel, pasi aty duhet të bëjmë sa më shumë pikë. Do të pëlqeja të mbërrija i pari në garë dhe jo në provat zyrtare”, u shpreh nga Brazili, Charles Leclerc.
“Duhet të gjejmë disa paraqitje të mira, që të na japin fitoren në garë. Është e vështirë të parashikosh se si do të shkojë një fundjavë, sidomos kur në mes janë edhe garat sprint. Provat e lira janë të rëndësishme për të grumbulluar sa më shumë informacion”, ka pohuar Leclerc. “Në garën sprint, nëse bën një gabim në përshtatjen e makinës, nuk mund të rikuperosh më. Mua më pëlqen ky format. Kjo fundjavë në Brazil është e gjatë dhe e vështirë. Na duhet të rikuperojmë sa më shumë pikë për t’iu afruar Mercedesit, që është favorit këtu”, ka deklaruar Leclerc.